Italia post Draghi/ Kush do t'i fitoj zgjedhjet e 25 shtatorit?

Kjo javë e re nisi për Italinë me qartësinë se qeverisja teknike e bashkimit kombëtar të Mario Draghit mori fund e se  brenda dy muajve vota e qytetarëve italianë do të jetë përcaktuese se kush do ta drejtojë vendin, një qeveri e djathtë apo e majtë?

Plot 60 ditë nga zgjedhjet e parakohshme klima politike në Itali bëhet ditë pas dite më e nxehtë bashkë me sondazhet e para që fotografojnë preferencën e italianëve pas dorëheqjes së ekzekutivitit të Super Mario.

Kush do t'i fitoj zgjedhjet e 25 shtatorit?

Sondazhet e realizuar nga Institute të ndryshme të kërkimit e të studimeve politike janë pothuajse linearë në rezultatet e tyre e që konfirmojnë tendencën e verifikuar prej më shumë se një viti.

Partia e Djathtë e Fratelli D'Italia e drejtuar nga Giorgia Meloni, shfaqet forca e parë polkitike në vend, e ndjekur nga Partia Demokratike e së majtës.

Sondazhi i Termometropolitico i javës që sapo u mbyll, konfermon Fratelli d' Italia me 23.7% të preferencës së votës së italianëve e Partia Demokratike e Enrico Letta me 22.7% .

Në krahasim me një vit më parë, Partia Lidhja e Matteo Salvinit ka konfirmuar tendecën reduktuese të konsensusit të zgjedhësve. Ky sondazh vërteton rënien e saj me gati 10 pikë. Sipas Termometropolitico Lidhja mund të votohet nga 15.4% e italianëve.

E po e njëjta panoramë shfaq Lëvizja 5 Yje me një reduktim të dukshëm të preferencës së votuesve e baraz me 11.9%.

Edhe pse nën 10 %, Partia e ish-kryeministrit Silvio Berlusconit, me 7.4% të votës së italianëve komentohet nga analistët e politikës si një forcë përcaktuese në formimin e qeverisës së re.

Votat e saj në bashkim me Partinë Lidhja të Salvinit e Fratelli d'Italia të Melonit do të jenë të mjaftueshme që Italia pas 25 shtatorit, të qeveriset nga e djathta.

Këtë fakt e dëshmuan dhe zhvillimet në dhomën e Senatit kur këto tre forca të djathta u shfaqën të bashkuara e nuk pranuan të votojnë rezolutën e zgjedhur nga ish-kryeministri Mario Draghi e që më pas çoi në vendimin përfundimtar të dorëheqjes së tij.

Perceptimi është se Partia Demokratike e vetme nuk mund t'ja dalë të fitojë zgjedhjet e mundësia e një boshti koalicioni me lëvizjen 5 Yje është përjashtuar kategorisht nga lideri i saj.

Pak orë më parë Enrico Letta do të deklaronte se "ndarja me 5 Yjet është e pakthyeshme", ndërsa lideri i Lëvizjes 5 Yje, Giuseppe Conte iu përgjigj se "PD është një parti arrogante e progresisti i vërtetë i politikës italianë është forca e tij politike".

Edhe pse mbetet një nga protagonistët e politikës italiane, Matteo Renzi me Partinë e tij Italia Viva mbetet në limitet e 2.5% të preferencës së italianëve, e pak më shumë në 4.3% janë forcat politike Azione e +Europa që kanë përcaktuar një fushatë elektorale të përbashkët me një objektiv të shprehur qartë; të mundin Melonin e Salvinit.