Ministrat gjermanë vizitë në Ukrainë, diskutime për rindërtimin dhe sigurinë e vendit

Dy ministra gjermanë, ajo e brendshme dhe ai i punës, kanë udhëtuar këtë të hënë drejt Ukrainës për takime me homologët dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Diskutimet do të fokusohen te rindërtimi i vendit dhe te siguria kibernetike e Ukrainës. Ndërkohë, palët ndërluftuese, Rusia dhe Ukraina janë duke u përgatitur për sulme në Lindje të vendit.

Dy ministra gjermanë kanë zbarkuar këtë të hënë në Ukrainë për takime të rëndësishme.

Bisedimet mes dy zyrtarëve të lartë gjermanë dhe homologëve ukrainas do të fokusohen te rindërtimi i vendit të rrënuar nga lufta si edhe te siguria.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Ministrja e Brendshme gjermane dhe ministri i Punës kanë agjendë të ngjeshur takimesh dhe tema të ndryshme që do të shtrohen për bisedën mes zyrtarëve.

Diskutimet pritet të fokusohen në rindërtimin e infrastrukturës, veçanërisht për shërbimet e urgjencës. Siguria kibernetike, kontrabanda e armëve, pastrimi i minave dhe hetimet mjeko-ligjore mbi krimet e luftës janë disa prej temave.

Ndërkohë ministri i Punës Heil do të diskutojë gjithashtu edhe për mundësinë e kthimit në shtëpi, të pothuajse 900,000 refugjatëve ukrainas që kanë mbërritur në Gjermani.

Raportimet nga Ukraina flasin për intensitet të lartë në Lindje të saj. Së fundmi kishim edhe një bombardim të rusëve në portin e Odesës, edhe pse palët kishin arritur një marrëveshje për hapjen e portit për dërgesat jashtë të drithërave.

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha në njoftimin e saj këtë fillimjavë se Rusia po përballet me dilemën nëse duhet të mbështesë ofensivën e saj në lindje të Ukrainës apo të forcojë mbrojtjen e saj në zonat që ka pushtuar në perëndim.