Lufta si para 6 muajsh/ Forcat ruse vijojnë granatimet, Kievi: Do të rimarrim territoret, po bëjmë përparime në Kerson
Sipas raportimeve të fundit nga fronti i luftës, granatimet ruse atje vijojnë si në fillim të konfliktit edhe pse sapo kaluan gjashtë muaj që nga nisja e sulmit të Ukrainës. Kievi ka shpresa se do t’i rimarrë shpejt territoret e pushtuara.
Luftimet në Ukrainë vijojnë në mënyrë të pandërprerë, ndërsa konflikti hyn në muajin e gjashtë.
Forcat ruse janë duke kryer granatime në lindje, veri dhe në jug të vendit edhe pse raportohet se përveç mungesës së personelit, trupat e Moskës po përballen me vështirësi sa i përket zëvendësimit ose riparimit të qindra pjesëve e pajisjeve ushtarake të dëmtuara.
Kievi po bën përpjekje për të rimarrë territoret e humbura.
Ministria britanike e Mbrojtjes bëri me dije se luftimet po zhvillohen në rajonin e Donbasit dhe në territoret e pushtuara nga forcat ruse, në Kerson.
Ata pretendojnë gjithashtu se numri i ulët i personelit po e bën më të vështirë situatën për komandantët rusë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një adresimi në orët e vona të 24 korrikut, tha se forcat e tij po përparojnë hap pas hapi në rajonin e pushtuar jugor të Hersonit, që gjendet në jug të lumit Dnieper.
"Edhe pushtuesit e pranojnë se ne do të fitojmë. Ne dëgjojmë gjatë gjithë kohës bisedat e tyre. Ne dëgjojmë atë që ushtarët rusë u thonë të afërmve të tyre kur ata i thërrasin," tha ai.