Video/ Shah, roboti i thyen gishtin kundërshtarit 7-vjeçar në Rusi

E luajtur nga njerëzit, loja e shahut është një nga më paqësoret në botë, por ky sport bëhet i rezikshëm me raste kur në lojë hyjnë makineritë kompjuterike.

Sipas mediave vendase, javën e kaluar në kampionatin “Moscow Open”, një robot, mesa duket i paprogramuar për të reaguar ndaj lëvizjes së shpejtë të kundërshtarit, në mënyrë të papritur i theu gishtin një shahisti 7-vjeçar. Lajmin e konfirmon presidenti i federatës moskovite të shahut, Sergey Lazarev, sipas të cilit, kjo është hera e parë që ky robot vepron në mënyrë të tillë dhe ky është një lajm i keq.

Videoja e publikuar në 19 korrik tregon se si roboti shtrëngon gishtin e fëmijës dhe një grua bashkë me tre burra arrijnë ta shkëpusin. Zv-presidenti i federatës ruse, Sergey Smagin thekson se fëmija duhej të priste për të kompletuar gjithë lëvizjen fillimisht roboti dhe pasi të ishte siguruar për një gjë të tillë, të kryente edhe lëvizjen e tij. Ai shton se 7-vjeçari ka thyer rregulloren edhe pse ky është një rast shumë i rrallë.