Vrasja e 63-vjeçares në Kozare/ Familjarët dyshojnë dhe për një bashkëpunëtor tjetër, kërkojnë rikthimin e dosjes
Familjarët e Fatime Sulit, 63 vjeçarja e vrarë dhe e hedhur në kanal në Berat në janar të këtij viti, pretendojnë se autori i vrasjes i arrestuar tanimë, nuk ka vepruar i vetëm. Pas mbylljes së hetimeve nga prokuroria, ata kanë kundërshtuar gjetjet, duke thënë se autori ka pasur edhe një tjetër person që e ka ndihmuar për vrasje.
Vrasja e bujshme e 63-vjeçares Fatime Suli,e ndodhur në 20 Janar të këtij viti në fshatin Kozare në Kuçovë, prej disa ditësh ka mbërritur për gjykim në Gjykatën e Shkallës së parë Berat,pas përfundimit të hetimeve të Prokurorisë.
Por,familja e të ndjerës nuk është dakort me përfundimin e hetimeve pasi pretendojnë se autori Fetah Mara nuk e ka kryer i vetëm krimin, ka pasur edhe një bashkëpunëtor.
Avokati i familjarëve të viktimës Fatime Suli,Ramiz Oboni deklaron se,në seancën paraprake që do të zhvillohet pas disa ditësh ata do të kërkojnë që çështja të rikthehet përsëri në Prokurorinë e Rrethit Berat për hetime të mëtejshme, pasi familjarët kërkojnë marrjen si të akuzuar për bashkëpunim në vrasje edhe të një shtetasi tjetër.
"Pas ngjarjes, u kalon tre herë në ditë para shtëpisë duke u bërë karshillëk, çfarë më bëtë mua? Më bëtë gjë? Unë ua bëra të keqen dhe ju s'më bëtë dot asnjë gjë," tha avokati.
Sipas përfaqësuesit ligjor të familjes nëse Gjykata e Beratit nuk do ta pranojë kërkesën për rikthimin e çështjes në Prokurori për hetime të mëtejshme, ata do të kërkojnë thirrjen në gjyq si dëshmitar të Izetit por edhe të një shtetasi të tretë me emrin Luli, që familjarët e cilësojnë si "dëshmitar okular" në ngjarjen e rëndë.
"Madje përmend dhe një emër tjetër, një Luli, por nuk e di kush është ky Luli. Madje dhe në seancën paraprake unë do ta kërkoj që kjo të mos dërgohet për gjykim, por të kthehet për hetime të tjera dhe të thirret dhe ky person," tha avokati.
Fatime Suli, 64 vjeçe u gjet e vdekur, e hedhur në një kanal pranë një plantacioni me sera, e zhveshur nga mesi e poshtë dhe e mbuluar me gjethe në janar të këtij viti.