Rama ironi ndaj opozitës: Përfunduat me udhëheqës “Non Grata’ sepse u morët me drejtësinë

Kryeministri Edi Rama,nga Foltorja ka thënë se duhet t’i kërkojmë Asamblesë që të rrëzojë raportin e Dick Marty.

Në fjalën e tij Rama i është drejtuar opozitës duke i thënë se nuk u takon që të flasin për Hashim Thaçin, pasi sipas tij ky i fundit po përballet me akuza të pabaza.

Rama hodhi akuza të rënda ndaj Berishës duke thënë se është i korruptuar dhe prandaj e kanë shpallur “Non Grata”.

Edi Rama: Ne duhet të merremi me këtë me raportin e Dick Marty. Ne duhet t’i themi Asamblesë të rrëzojë raportin se është i pabazë, nëse vërtetë duam të merremi me mbrojtjen e krenarisë. Kush heq Hashim Thaçin nga historia e asaj lëvizje i ngul një thikë mu në fyt Kosovës, popullit të Kosovës dhe shkel mbi gjakun e dëshmorëve. Nuk i takon njeri të hap gojën për Hashim Thaçin. Është ngritur një akuzë që shkon përtej personit. Prandaj përfunduat që udhëheqësin tuaj  e keni “Non Grata’ sot sepse jeni marrë me drejtësinë. E kuptoni sesa e rëndë është kjo. Ju ka udhëhequr një i korruptuar. Ju flisni për drejtësisë? Kur ju vjen goja, ju vjen mbrapsht.