Sulmi kibernetik ndaj E-Albania, Salianji hedh dyshime: Qeveria ka interes të fshijë të dhëna për skandalet e fundit

Deputeti, Ervin Salianji, hedh dyshime se sulmi kibernetik në portalin E-Albania të jetë kryer nga vetë qeveria.

Në faqen e tij në facebook ai ka ndarë qëndrimin që ka mbajtur sot në Komisionin e Sigurisë, ku thotë se qeveria ka interes të fshijë dhe pastrojë të dhëna që mund të jenë të domosdoshme gjatë hetimeve për skandalet e fundit, ku të vdekurit, të moshuar dhe të vobektë keqpërdoren për korrupsionin qeveritar.

Salianji: Shteti është zhveshur nga çdo autoritet! Autoritetin dhe ligjin në territor e bëjnë bandat dhe krimi i organizuar, në institucione ata dhe zyrtarët e korruptuar dhe sistemi i të dhënave personale dhe çdo e dhënë e shtetit ka rënë po ashtu! Sulmi ndaj E-Albania nuk dihet nëse është bërë nga fuqi armike apo vetë qeveria ka interes të fshijë dhe pastrojë të dhëna që mund të jenë të domosdoshme gjatë hetimeve për skandalet e fundit, ku të vdekurit, të moshuar dhe të vobektë keqpërdoren për korrupsionin qeveritar.

Sistemet shqiptare të informacionit u gjetën dje, 17 korrik, përballë një “sulmi masiv kibernetik të pandodhur kurrë më parë”, bëri të ditur qeveria në një deklaratë, duke folur për “sulme armike”.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) bëri të ditur se për pasojë “është detyruar të mbyllë përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe faqeve të tjera qeveritare për shkak se po përballemi me një sulm kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë". AKSHI saktësoi se "për t’u bërë ballë këtyre goditjeve të paprecedenta dhe të rrezikshme, jemi detyruar të mbyllim sistemet qeveritare deri në neutralizimin e sulmeve armike”.

Agjencia, deklaroi më tej se është “në gatishmëri të plotë dhe po punon gjatë të gjithë kohë me ekipin e Microsoft, ekipin e Jones Group International, dhe ekipet e kompanive shqiptare në fushën Teknologjisë së Informacionit, për të mos lejuar që ky sulm kinerbetik të dëmtojë apo cënojë sistemet shqiptare të informacionit”.