Viktimë duke pastruar pusin e ujit, humb jetën 38 vjeçari në Mallakastër, bashkëpunëtori rrezikoi

Pastrimi i puseve të ujit në mënyrë tradicionale dhe pa pajisjet e nevojshme shkaktoi viktimë. Një 38 vjeçar humbi jetën, ndërsa një tjetër e rrezikoi pasi u asfiksuan duke punuar nëntokë. Ngjarja ndodhi në fshatin Lofkënd të Mallakastrës.

Pastrimi i këtij pusi në Lofkënd të Mallakastrës nga dy bashkëfshatarë përfundoi në tragjedi.

Njëri humbi jetën dhe tjetri e rrezikoi.

Besnik Veliaj 38 vjeç dhe  Bledar Bregu 33 vjeç gjatë punës u asfiksuan dhe përfunduan disa metra në thellësinë e tij.

Ndërhyrja në kohë e ekipit zjarrfikës i nxori me jetë dy burrat që u dërguan me urgjencë për të marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Fierit.

Besnik Veliaj nuk mbijetoi dot dhe ndërroi jetë, ndërsa 33 vjecari Bledar Bregu është nën kujdes mjekësor.

Probleme por pa rrezik për jetën shfaqi edhe zjarrfikësi Albens Zotaj, i cili u fut në thellësinë e pusit për ti nxjerrë.

Dyshimet janë se Besnik Veliaj dhe  Bledar Bregu u asfiksuan nga gazet që çlirohen nëntokë gjatë pastrimit të pusit që përdoret për vaditje.

“Janë futur për të pastruar pusin, kanë punuar dhe më parë”

Hapja dhe pastrimi i puseve të ujit në mënyrë artizanale dhe pa pajisjet e posaçme që duhen në raste të tilla, në vazhdimësi ka prodhuar tragjedi.

Më e rënda ishte ajo e vitit 2020 në Dyshnik të Beratit, ku humbën jetën tre persona.