Nuk ndalet dhuna në familje, 6 viktima nga Janari, sociologët rendisin shkaqet
5 krime në familje janë regjistruar në vendin tonë nga fillimi i këtij viti. Nga evidencat e policisë raportohen së vetëm në kryeqytet arrestohen përafërsisht 2 shtetas nga kjo vepër penale. Sipas sociologëve shkaqet e papunësisë apo rritjes së çmimeve kanë ndikuar në rritjen e këtyre krimeve.
Çdo ditë në Tiranë policia arreston të paktën dy persona për dhunë në familje.
Kryesisht ky fenomen është më i përhapur në zonat periferike të kryeqytetit. Edhe në raportet e prokurorisë për vitin 2021 është evidentuar një rritje me 12 përqind të dhunës në familje krahasuar me vitin 2020.
Sipas sociologëve dhuna në familje vjen kryesisht nga konflikte të çastit që më pas shndërrohen në krime, por ndikim të madh ka pasur edhe rritja e çmimeve dhe papunësia.
“Ndër shkaqet që përmendet janë përshkallëzimi i konflikteve në familje, pragu i durimit është shumë i ulët dhe individë të caktuar e menaxhojnë keq dhe mund të shkojnë deri në krim. Lidhet edhe me varfërinë dhe rritjen e çmimeve.”
Sipas Entela Binjakut shumë prej denoncimeve të mbërritura në komisariat janë vetë të dhunuarat që shkojnë dhe i tërheqin. Kjo sipas saj, ndodh për shkak të asaj se çfarë mund të ndodhë më pas.
“Shkaqet janë frika prej stigmës prej opinionit. Lidhet po ashtu kur janë nëna, sepse fëmija është prioritet i tyre, e tërheqin për ta.”
Për vitin që lamë pas gjykata ka lëshuar mbi 1,500 urdhër mbrojtjeje. Por pavarësisht kësaj shifre abuzuesit nuk ndalen.
Nga fillimi i Janarit dhe deri më tani janë regjistruar 5 krime brenda familjes me 6 viktima. Rasti më i fundit u regjistrua në Divjakë ku djali Andrea Stasa, 58 vjeç varu babin e tij, Miter Stasa.
