Briken Çalja pa paguar? Kushi: Fake News, i kemi kaluar pagesat, t’i kalojnë federatat në llogari
Ministria e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka reaguar lidhur me lajmin se kampioni i botës në peshëngritje Briken Çalja nuk është shpërblyer për këtë titull.
Kushi bën me dije se ka urdhër pagesa për shpërblimin e Brikenit bashkë me trajnerin e tij, jo vetëm për kampionatin botëror, por edhe atë evropian.
Sipas saj, MAS i ka kryer të gjitha procedurat financiare për shpërblimin e të gjithë sportistëve që kanë fituar medalje dhe tani është detyrim i vetë federatave për të kaluar këto shpërblime te të sportistëve.
Kushi: Po lexoj sot në media një lajm të pavërtetë që gjoja qeveria sorollat kampionin Briken Çalja dhe nuk e ka shpërblyer ende për titullin kampion bote në peshëngritje. Për informim të opinionit publik, po ju publikoj urdhrat e pagesës për shpërblimin e Brikenit bashkë me trajnerin e tij, jo vetëm për kampionatin botëror, por edhe atë evropian. Aktualisht, MAS i ka kryer të gjitha procedurat financiare për shpërblimin e të gjithë sportistëve që kanë fituar medalje, nëpërmjet federatave sportive përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi.
Pas kësaj, është detyrim i vetë federatave për të kaluar këto shpërblime të qeverisë në llogarinë personale të sportistëve. I bëj thirrje të gjitha federatave që të zbatojnë detyrimet e tyre ndaj sportistëve brenda afateve të caktuara. Qeveria shqiptare do të vazhdojë të mbështesë pa u ndalur sportistët tanë elitarë dhe zhvillimin e sportit në tërësi.






