Zgjedhja e çuditshme e baskut Williams zemra e të cilit rreh për Ganën

Ka lindur në Bilbao nga prindër ganezë por asnjëherë nuk e ka konsideruar veten spanjoll. Simboli i sulmit të Athletic Bilbaos, Inaki Williams, i cili është në rrugën e thyerjes së një rekordi të veçantë, ka vendosur të përfaqësojë Ganën dhe jo Spanjën edhe pse prej kohësh e ka pritur një ftesë nga “Furia e Kuqe”.

Sulmuesi që nuk ka munguar në asnjë nga ndeshjet e 4 sezoneve të fundit për Bilbaon, e ndien veten bask dhe ganez dhe kjo e ka bërë që të zgjedhë vendin e origjinës. Nëpërmjet një njoftimi të bërë në Twitter, Williams shkruan:

“E ndiej se ka ardhur momenti të gjej rrënjët ganeze brenda meje çka do të thotë shumë për familjen time. Dua t’i kthej diçka të vogël Ganës që mua më ka dhënë shumë duke më ndihmuar të bëhem ky njeri që jam, si vëlla dhe  fëmijë.  Sot për mua nis një sfidë e re me fanellën e Ganës dhe me gjithë vullnetin e dëshirën time, do të jap maksimumin”.  

Zyrtarizmi i Williams në Kombëtaren e “Yjeve të Zinj të Afrikës” e rrit ndjeshëm peshën e Ganës në arenën ndërkombëtare por edhe në Kupën e Botës ku padyshim që sulmuesi i Bilbaos do të jetë një pikë referimi.