Video/ Ja si u arrestuan shqiptarët që vodhën vilën e Ronaldos ku ndodhej Verratti
7 të arrestuar, sipas AFP, 4 prej të cilëve shqiptarë. Bandë e mirëfilltë e specializuar në vjedhjen e vilave të njerëzve të pasur por që ra në rrjetë pas grabitjes spektakolare të vilës së Ronaldo brazilianit ku në ato momente ndodhej Marco Verratti me familjen dhe disa miq të tij.
Ngjarja ndodhi në Ibiza disa ditë më parë dhe vetëm gjatë orëve të fundit, policia iberike ka publikuar një video nga momenti i ndalimit të anëtarëve të bandës të cilët vodhën 3 milionë euro mes bizhuterive dhe parave të thata duke hyrë në vilë nga dritaret e katit të dytë edhe pse në oborr ndhodhej familja dhe futbollisti i Kombëtares së Italisë.
Banda e drejtuar nga shqiptarët, vepronte në zonat turistike të Malagas, Alicantes dhe Ibizas, ndërsa hetimi dhe ndjekja e anëtarëve të saj ka nisur që prej vitit 2021. Sendet e vjedhura në vilën ku ishte akomoduar mesfushori i PSG, policia i gjeti në bagazhin e makinës ku po udhëtonin dy prej anëtarëve të bandës, njëri shqiptar dhe tjetri spanjoll, të ndaluar në portin e Alicantes pak orë pas grabitjes.
Nuk ka ende një komunikatë zyrtare me emrat e të ndaluarve por gjatë ditëve të ardhshme kur çështja t’i referohet prokurorisë, do të bëhen të ditur. Sipas mediave spanjolle që citojë burime të policisë, banda e ka bazën në Shqipëri dhe udhëton shpesh herë drejt Spanjës ku kryejnë graditjet e vilave. Po sipas shtypit, ata janë të specializuar në çaktivizimin e alarmeve të sigurisë.
