Mbani shënim datën dhe vendin/ Florian Marku në 25 gusht në “Air Albania Stadium”
Ka një datë dhe një vend për ndeshjen e radhës së Florian Markut. E njoftoi pak ditë më parë rikthimin në Shqipëri me një duel boteror boksieri 29-vjeçar dhe tashmë ka edhe një datë.
Në 25 gusht në “Air Albania Stadium”, kampioni interkontinental bën me dije se “zogu do të rikthehet në fole” me një përballje që pritet të jetë emocionuese.
“Po kthehem për të gjithe ju, në mes të Tiranës. Në datën 25 Gusht ju pres të gjithëve në Air Albania. Kundërshtari dhe info rreth biletave do dalin këtë javë. Ju premtoj qe do jap shpirtin për t’ju bërë krenar akoma dhe më shumë duke u ngritur në majat e botës”, thekson Marku në një postim zyrtar në Facebook.
Në fillim të muajit prill, Marku fitoi me nokaut në raundin e katërt ndeshjen ndaj Chris Jenkins duke mbrojtur titullin kampion në kategorinë IBF në peshën e lehtë. Sfida e Tiranës sipas të gjitha gjasave do t’i shërbejë 29-vjeçarit për të mbrojtur gjerdanin e fituar që në shtator të vitit të kaluar.