Nuk ka më dyshime, Ibrahimovic edhe një sezon me Milanin

Zlatan Ibrahimovic do të hedhë firmën në kontratën me Milanin edhe për një sezon tjetër. Suedezi që ishte protagonist edhe në prezantimin e fanellave të reja, do të bashkohet me drejtuesit kuqezi javën e ardhshme për të zgjatur bashkëpunimin me një sezon që mund të jetë i fundit për 41-vjeçarin.

Sipas mediave italiane, kontrata e re ndryshon shumë nga ajo që skadoi në fund të muajit qershor sepse parashikon shifra simbolike për shkak edhe të mungesës së shtatlartit deri në muajin janar për shkak të operacionit në këmbë.

Përfitimet për suedezin do të jenë kryesisht të lidhura me bonuset e aktivizimit të Ibras i cili e ka bërë të ditur prej kohësh që paratë nuk janë aspak problem në këtë rast.