Pakt me “Djallin”/ Nga lufta me vdekjen, te Manchester United
Christian Eriksen mund të konsiderohet lojtar i Manchester United pak më shumë se një vit nga ngjarja që tronditi futbollin. Ka bërë një rrugë të pabesueshme mesfushori danez që pasi humbi ndjenjat për rreth 4 minuta në fushën e lojës dhe rrezikoi jetën, iu nënshtrua ndërhrjes dhe u rikthye në fushën e lojës duke nënshkruar me Brentford dhe sot mund të konsiderohet simboli i njeriut që ka luftuar me vdekjen.
Pasi zgjidhi kontratën me Interin për çështje burokratike kryesisht, Eriksen u bashkua me klubin e Premier League, Brentford për t’u rinisur edhe një herë dhe tashme ka pranuar të firmosë me Ten Hag për të veshur fanellën e kuqe të Manchester United.
Kontratë 3-vjeçare për ish-mesfushorin e Tottenham i cili e mbylli sezonin me 1 gol dhe 4 asiste në 11 ndeshje të luajtura gjatë pjesës së dytë. 30-vjeçari do t’u nënshtrohet testeve mjekësore në “Old Trafford” dhe më pas do të firmosë kontratën që do ta lidhë deri në vitin 2025 me “Djajtë e kuq”.
Me fanellën e Tottenham, Eriksen ka shënuar 69 gola dhe ka dhuruar 90 asiste gjatë periudhës 7-vjeçare përpara se të transferohej te skuadra e Interit ku fitoi titullin kampion.
