Balla kërkon ndryshimin e Kodit Rrugor: Të rritet vlefshmëria e patentave me 3 dhe 5 vite

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla përmes një propozimi ka kërkuar që të ndryshojë Kodi Rrugor.

Kërkesën e tij e ka paraqitur përmes një drafti drejtuar Kuvendit ku parashikohet që shoferët deri në 70 vjeç, do të kenë patentë me vlefshmëri 5 vjet më shumë se ajo aktualja.

Kodi Rrugor qartëson se shoferët deri në 50 vjeç kanë patentë 10-vjeçare, ata mbi 50 vjeç patentë 5-vjeçare dhe mbi 70 vjeç patentë 3 vjeçare.

Ndërkohë Balla kërkon që kjo kohë të shkojë 15 vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 70 vjeç.

Ndërkohë për ata mbi këto moshë ai kërkon që periudhë të shkojë në 5 vite dhe të bëhet konfirmimi i vlefshmërisë së lejes së drejtimit bëhet duke dorëzuar certifikatë mjekësore të lëshuar nga një prej organeve mjekësore.

Propozimi i Ballës:

“Për personat mbi 70 vjeç konfirmimi i vlefshmërisë së lejes së drejtimit bëhet duke dorëzuar certifikatë mjekësore të lëshuar nga një prej organeve mjekësore të përmendura në pikën 2 të nenit 117, jo më shumë se gjashtë muaj përpara, nga e cila të rezultojë që zotëruesi i kësaj certifikate plotëson të gjitha kërkesat fizike e psikike të kërkuara”, vijon më tej drafti i propozuar nga kreu i grupit të PS-së.
Kodi Rrugor kërkon 84 vota për tu miratuar, ndërkohë që PS-ja dhe PSD-ja kanë sot në Kuvend 77 vota, çka do të thotë se do të duhen edhe shtatë vota nga e djathta që ndryshimet ligjore të hyjnë në fuqi.

Neni 124 pika 1 është
Lejedrejtimet e mjeteve të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE, sipas grup moshave, janë të vlefshme për:

– 10 vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për personat deri në moshën 50 vjeç;
– 5 vjet, për ata që kanë kaluar moshën 50 vjeç
– 3 vjet, për ata që kanë kaluar të 70-tat.

Neni 124 pika 1 propozohet të bëhet
Lejedrejtimet e mjeteve të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE, sipas grup moshave, janë të vlefshme për:
– 15 vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 70 vjeç;
– Për personat mbi 70 vjeç konfirmimi i vlefshmërisë së lejes së drejtimit bëhet duke dorëzuar certifikatë mjekësore të lëshuar nga një prej organeve mjekësore të përmendura në pikën 2 të nenit 117, jo më shumë se gjashtë muaj përpara, nga e cila të rezultojë që zotëruesi i kësaj certifikate plotëson të gjitha kërkesat fizike e psikike të kërkuara.

 

Dokumenta bashkëngjitur