Nipi ish-deputetit “sfidon” shtetin, punonjësit e pastrimit në Sarandë: Nuk na jep as pagën minimale
Punonjësit e Pastrimit në Sarandë denoncojnë se kompania në pronësi të nipit të një ish deputeti të PS po shkel ligjin dhe po i paguan nën pagën minimale. Madje pretendojnë se janë kërcënuar me vendet e punës nëse vazhdojnë të kërkojnë zbatimin e ligjit.
Qeveria me letra u ka vendosur 32 mijë lek rrogë minimale, por privati që u shfrytëzon punën nuk ua jep me vepra.
“Kemi 5 ditë sot dhe kemi lënë punën.”
Ndaj punonjësit e pastrimit në qytetin e Sarandës prej ditësh janë në protestë.
Thonë se paguhen vetëm 24 mijë lekë në muaj.
“Nga prilli deri më sot jemi paguar me 24 mijë lekë ndërsa paga është ngritur me 320 mijë lekë bashkë me sigurimet.”
Denoncojnë se firma AlcoImpekx me pronar Arbër Abazi, nipi i ish-deputetit të PS-së, Sadri Abazi i ka kërcënuar.
Në rast se vijojnë të kërkojnë të drejtën e mohuar, u kanë thënë se do t’i zëvendësojnë.
“Na bëjnë edhe presion dhe thonë se do të marrin punëtorët nga Tirana dhe të vijnë këtu.”
Në rast se duan punën, pretendojnë se i kanë paralajmëruar për një tjetër shkurtim page.
“Ne punojmë në të zezë dhe nuk fitojmë gjë. S’po na e var njeri fare.”
Kanë kërkuar takim me përfaqësues të Bashkisë, por Kryebashkiaku Adrian Gurma dhe vartësit e tij i kanë lënë në rrugë.

