Plagosi me armë Martin Prengën në Mirditë, 21-vjeçari do të qëndrojë në burg

Gjykata e Lezhës ka lënë në burg 21-vjeçarin Florian Gjoka i cili pak ditë më parë qëlloi me armë zjarri ndaj 51-vjeçarit Martin Prenga. I riu do të hetohet në gjendje arresti për veprën penale vrasje e mbetur në tentativë, ndërsa ndaj Prengës u shkrepën të paktën 5 plumba. 

Autori i plagosjes së 51-vjeçarit Martin Prenga mbrëmjen e së premtes në zonën e Fanit në Mirditë, do të qëndrojë në burg.

Florian Gjoka u njoh me masën e sigurisë ne Gjykatën e Lezhës.

Ne seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer te mbyllura, pasi dëgjoi palët gjyqtari Artan Hajredinaj e cilësoi të ligjshëm arrestimin e 21-vjeçarit dhe vendosi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” pa afat për veprat penale "Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit".

Florian Gjoka qëlloi 5 herë me arme zjarri pistolete bashkëfshatarin e tij Martin Prenga, duke e lënë të plagosur në këmbë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të mbrëmjes te se premtes në një pike karburanti në autostradën Milot-Kukës, pranë zonës së Fanit në Mirditë.

Menjëherë pas ngjarjes policia arriti të identifikoi autorin, duke e vënë në pranga disa ore më vonë, ndërsa u procedua penalisht dhe vëllai i tij binjak Altin Gjoka i cili e kishte ndihmuar te largohet dhe të fshihet.

Nga veprimet hetimore rezulton se ngjarja ka ndodhur pas konflikteve te hershme që kishin patur dy bashkëfshatarët, për motive ende të paqarta.