Censusi i popullsisë fillon në Tetor, INSTAT ende larg për blerjen e tabletave. Tenderi u bllokua në KPP
Një sasi prej 8080 copë tableta elektronikë është parashikuar të blihet nga Instituti i Statistikave (INSTAT), me qëllim kryerjen e procesit të censusit të popullsisë, që është planifikuar të kryhet në muajit Tetor 2022.
Për blerjen e logjistikës elektronikë, INSTAT ka parashikuar një fond prej 2 miliard e 246 milion lekë të vjetra, ndërkohë kjo shifër rritet dhe me 89 milion lekë të vjetra, pasi shtohet dhe blerja e 8080 copë baterive “Power Banks” që do shërbejnë për karikimin në teren të çdo tablet që do përdoret për regjistrimin e popullsisë.
“Ora News” mëson se tenderi është fituar nga kompania “PC-Store” e biznesmenëve Elton dhe Vitator Mehmeti, duke ofruar shifrën prej 1 miliard e 696 milion lekë të vjetra.
Kjo ofertë është dhënë për blerjen e 8080 copë tabletave dhe baterive, dhe rezulton të jetë 550 milion lekë të vjetra poshtë fondit limit të vënë në dispozicion nga INSTAT.
Njëherësh në këtë tender kanë konkurruar duke dhënë ofertat e tyre dhe kompani të tjera si “BNT Elektronics”, “Infosoft System”, “Introvus Solution” dhe kompania “Ligus”.
Duke vlerësuar se plotësonte të gjithë kërkesat teknike dhe ligjore të parashikuara në dokumentet e tenderit, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, në muajin Maj 2022 shpalli fitues kompaninë “PC-Store”.
Në të njëjtën ditë pas kësaj kompanie, renditeshin me oferta shumë më të larta, kompanitë “Ligus” dhe “Infosoft”, përkatësisht me 194.7 milionë lekë të reja dhe 197.8 milionë lekë të reja.
Pra me një vlerë prej 430 deri në 450 milion lekë të vjetra më tepër se oferta e kompanisë fituese.
Por megjithëse është shpallur zyrtarisht fituesi nga INSTAT, ky tender tashmë është stopuar duke bërë që mes kompanisë Pc-Store dhe Institutit të Statistikave të mos zyrtarizohen marrëveshja.
Kjo pasi dy kompanitë pjesëmarrëse si “Ligus” dhe “Infosoft”, i janë drejtuar me ankesa zyrës së Komisionit të Prokurimeve Publike, duke kërkuar shfuqizimin dhe shpalljen e pavlefshëm të vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në INSTAT, dhe detyrimin e këtij institucioni që të shpallë fitues njërën nga dy kompanitë që kanë shpalosur ankim në KPP.
Deri në këtë fazë mësohet se ende KPP, nuk ka çelur seancën e dëgjimit të palëve, ndërkohë në fillim të muajit Tetor 2022 qeveria duhet të fillojë zbatimin në teren të procesit të regjistrimit të popullsisë në Shqipëri.

