“Dënoi” gazetarin, Rama: Shpifni, gënjeni, sajoni, por kur më pyesni mos shkelni publikisht etikën

E ndërsa është thirrur një protestë dhe ka pasur reagime të shumta, kryeministrit Rama duket se i ka “djegur” ky reagim ndaj “dënimit” që ai i bëri gazetarit Klevis Muka.

Rama shkruan sot se e përshëndet lirinë e medies së disave, por jo legjitimin për të shpifur duke folur edhe për mungesë etike në konferenca shtypi.

Sipas tij, nuk ka për të ndodhur që të legjitimohet liria e shkeljes së normave etike sy më sy në praninë e tij dhe se asnjë gazetari nuk i ka hyrë gjemb nga qeveria, pavarësisht shpifjeve.

Rama: E përshëndes si shprehje lirie sulmin e disave, që në emër të lirisë së medias kërkojnë legjitimim për lirinë e shkeljes së normave etike deri brenda konferencave të mia për shtyp, sepse jashtë tyre tanimë kjo liri është e legjitimuar plotësisht! Por kërkesa s'mund të plotësohet. Jemi tërhequr nga përpjekja për ta normuar ligjërisht lirinë e shpifjes dhe të fyerjes, që në epokën e rrjeteve sociale ka marrë përmasa katastrofike! Nuk e kemi bërë as nga frika, as nga presionet po si reagim konstruktiv ndaj kërkesës së komunitetit mediatik për vetërregullim.

Ku është vetërregullimi? Nejse, do ta presim pa shpresë se do vijë! Por ndërkohë nuk ka për të ndodhur që të legjitimohet liria e shkeljes së normave etike sy më sy në praninë time. E kam ndryshuar ka kohë qasjen time, jo se janë zhdukur kazanët po se kam reaguar ndaj kritikave. Por ja që asgjë s'ka ndryshuar nga ana tjetër, përkundrazi, megjithëse asnjë gazetari e asnjë medieje nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë nga kjo qeveri dhe megjithëse disponimi ndaj pyetjeve e kërkesave për informacion ka qenë maksimal, janë shtuar shpifjet e është ulur rankimi! Si përfundim: Shpifni, gënjeni, sajoni, shkruajeni e fliteni shqipen keq sa të doni, sepse askush nuk do t'ju thotë "plaç", po mos prisni që dhe kur vini për të pyetur mua të ushtroni publikisht në mënyrë të përsëritur lirinë e shkeljes së etikës dhe përsëri të jeni të mirëseardhur!

Kujtojmë se gjatë konferencës për shtyp së bashku me ministren Xhaçka, gazetari Klevis Muka i drejtoi një pyetje ministres nëse e takon burrin e saj sipërmarrës në raport me kodin etikë të paraqitur nga kryeministri Rama.

Kaq mjaftoi që kryeministri të ndërhynte duke i thënë gazetarit se ka shkelur etikën dhe se do të dënohet me 3 muaj “riedukim”.