Mes vetos së opozitës dhe Sofjes, propozimi francez shkakton debate në Maqedoninë e Veriut
Presidenca franceze e Bashkimit Evropian përfundoi, por la të hapur një debat të madh në rajonin tonë. Propozimi i Parisit pritet të diskutohet në Shkup nga parlamenti dhe opozita maqedonase, kjo e fundit ka premtuar se do të vendosë veto njësoj si Bullgaria.
Partia më e madhe opozitare e krahut të djathtë, VMRO-DPMNE i ka bërë thirrje qeverisë që ta botojë në faqen zyrtare të kabinetit propozimin francez të dërguar të enjten nga presidenti Macron.
Lideri i kësaj force politike, Hristjan Mickoski është shprehur se ai kurrë nuk do të pranonte zgjidhje të dëmshme për popullin dhe të ardhmen e vendit, duke lënë të kuptohet se nuk është kundër ndryshimit të Kushtetutës.
Propozimi i Francës rregullonte kushtin e Sofjes, që konsistonte në futjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës maqedonase, çka do të kërkonte edhe ndryshimin e saj.
Ndërsa ende nuk dihen detajet e propozimit të modifikuar, ajo që të gjithë maqedonasit bien dakord është çështja e maqedonishtes.
Përmes propozimit të kaluar, Sofja dhe Shkupi do të lejoheshin ta vlerësonin maqedonishten në mënyrë të njëanshme, e cila për Maqedoninë Veriore është një vijë e kuqe, pasi Bullgaria pretendon se gjuha maqedonase është vetëm një dialekt i bullgarishtes.
Parisi zyrtar paraqiti një propozim të modifikuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes në orët e fundit të presidencës franceze të Këshillit Evropian.
Propozimi i cili pritet të zhbllokojë rrugën e integrimit të RMV dhe Shqipërisë pritet të diskutohet gjatë në Shkup.
Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski është shprehur se propozimi francez, tashmë i modifikuar përfshin shqetësimet e Maqedonisë së Veriut, lidhur me çështjet historike, protokollin e marrëveshjes së fqinjësisë së mirë, të cilën Shkupi nuk e donte pjesë të kornizës negociuese.
Edhe presidenti Stevo Pendarovski pas takimit me Macron në Madrid shkroi në rrjetet sociale se propozimi i modifikuar është shumë herë më i mirë se ai i pari.
Propozimi francez pritet të jetë subjekti kryesor i tryezave të diskutimeve në Shkup, pasi siç e theksoi edhe qeveria, për kompromisin e Parisit duhet të pyeten, opozita, parlamenti dhe shoqëria civile.
