Shpresë në orët e fundit të Francës, Macron: U gjet një kompromis mes Maqedonisë Veriore dhe Bullgarisë

Kur na ndajnë edhe pak orë nga mesnata, kohë kur skadon edhe afati i presidencës franceze të BE-së, lideri i Francës Emmanuel Macron ka thënë se Sofja e Shkupi kanë gjetur një kompromis për propozimet e Parisit.

Presidenti i Francës kërkon ta mbyllë me një sukses mandatin e presidencës së Këshillit Evropian, i cili skadon të premten.

Qeveria maqedonase përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme njoftoi se Shkupi ka marrë një propozim zyrtar nga Parisi lidhur me të ashtuquajturin propozim francez i cili synonte t’i jepte fund mosmarrëveshjeve me Bullgarinë fqinje në mënyrë që kjo e fundit të hiqte veton ndaj Maqedonisë së Veriut dhe rrjedhimisht të çlironte edhe rrugën e zgjerimit të Shqipërisë.

Presidenti francez, ndërsa fliste nga Madridi ku mori pjesë në samitin e NATO-s u tha gazetarëve se kishte dritë në fund të tunelit sa u përket negociatave.

Macron: Sa i përket Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ka pasur diskutime serioze natën mes të martës dhe të mërkurës. Në bazë të këtyre diskutimeve, jam i bindur se është gjetur një kompromis që plotëson ndjeshmëritë e të dyja palëve. Besoj shumë se është në interes të të dyja palëve, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, që është e pranueshme për të gjithë dhe shpresoj që në ditët në vijim të dyja palët ta konfirmojnë.

Në fakt, presidenti dhe kryeministri i Bullgarisë, konfirmuan se janë dakord me këtë propozim iniciativë franceze dhe se do të ketë disa diskutime të mëtejshme në ditët në vijim në Shkup.Kjo do të sjellë sigurinë, parashikueshmërinë dhe durimin që e kaluara mund të kapërcehet. Ky është shumë trajtim i frymës evropiane dhe shpresoj shumë që kjo të na mundësojë të punojmë për të ardhmen evropiane.

Burimet për Ora News thonë se të enjten do të vijojnë negociatat në nivel ambasadorësh të BE-së në Këshillin Evropian në Bruksel, ku pritet të diskutojnë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në lidhje me caktimin e një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Javën e kaluar, kryeministri maqedonas e quajti propozimin francez si të papranueshëm, pasi shkelte vijat e kuqe të Shkupit lidhur me historinë, identitetin dhe gjuhën maqedonase.

Vendimi që pritet të merret nga parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka kundërshtimin e plotë të opozitës së udhëhequr nga partia konservatore VMRO-DPMNE.

Përmes propozimit francez, kërkohet që pakica etnike bullgare të futet në preambulën e Kushtetutës maqedonase.

Shkupi nuk duhet të ketë pretendime territoriale ndaj Bullgarisë duke e konfirmuar këtë përpara OKB-së, të harmonizojë tekstet shkollorë në përputhje me komisionet historike të dy vendeve dhe të heqë të gjitha tabelat që përhapin gjuhën e urrejtjes ndaj bullgarëve dhe Bullgarisë. 

Një pikë e rëndësishme e propozimit të Parisit është gjuha maqedonase, të dyja vendet do të lejohen të kenë pretendimet e tyre në lidhje me të.

Bullgaria pretendon se maqedonishtja është vetëm një dialekt i gjuhës bullgare.

Nga 1 korriku, presidenca e Këshillit Evropian do të merret nga Republika Çeke dhe nëse nuk ka përparim deri në mesnatën e 30 qershorit, mosmarrëveshjet Shkup-Sofje do t’i kalohen Pragës zyrtare.

Në fillim të këtij muaji, qeveria në Çeki njoftoi prioritetet e presidencës së saj, e cila nuk përshkruan zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, por nëse marrëveshja Shkup-Sofje arrihet të enjten, kuadri negociues do të shqyrtohet nga Praga.