Lajçak, optimist për takimin Kurti-Vuçiç në korrik
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se beson që ekziston momentum për takim në Bruksel mes liderëve të të dyja shteteve, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media në Prishtinë, pak para nisjes në veri të Kosovës.
“Jam angazhuar nëpër takime individuale që takimi i radhës të ketë rezultate që dëshirojmë të shohim”, ka thënë Lajçak për mundësinë e takimit Kurti – Vuçiç në kuadër të dialogut, duke shpresuar që një takim i tillë të zhvillohet në korrik, para nisjes së pushimeve verore.
Këta dy liderë janë takuar dy herë gjatë vitit të kaluar në kuadër të dialogut.
Lajçak ka thënë se përgjatë vizitës triditore në Kosovë është takuar me krerë të pushtetit dhe opozitës për të diskutuar rreth dialogut.
Sipas tij, uniteti politik është shumë i rëndësishëm për ecjen përpara të dialogut, dhe i ka konsideruar shumë të rëndësishme “deklaratat e opozitës në mbështetje të dialogut dhe angazhimeve të qeverisë në këtë proces”.
Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, por zbatimi i shumicës së tyre ka ngecur.