Targat dhe dokumentet e udhëtimit, Zeka: Kurti provokoi rëndë Serbinë, Kosova e ka jetik dialogun
Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit me Serbinë për përdorimin e dokumenteve personale të qytetarëve serbë që hyjnë në Kosovë.
Në të njëjtën kohë qeveria vendosi të kufizojë deri në fund të shtatorit përdorimin aktual të targave të makinave që hyjnë nga Serbia apo janë të regjistruara në Serbi dhe bartin simbolet e qyteteve.
Analisti, Milaim Zeka, i ftuar në Rtv Ora e konsideron një provokim të rëndë ndaj Serbisë që në kushte normale do ishte legjitim për Kosovën por jo në situatën ku ndodhet.
"Albin Kurti ka ardhur me një provokim shumë të rëndë ndaj Serbisë, totalisht legjitim dhe shumë i drejtë në kushte normale për Kosovën. Por duke pasur parasysh që Kosova akoma nuk është anëtare e OKB dhe shumë organizmave të tjerë ndërkombëtarë mendoj që Kosova ka një nevojë jetike për dialogun me Serbinë. Në në fakt nuk bëjmë dialog me Serbinë, ne jemi në dialog me Brukselin dhe Uashingtonin. Çdo provokim i tillë i pamatur, i pakordinuar paraprakisht dhe i pakonsultuar paraprakisht me ambasadat e Quintit në Kosovë sidomos ambasadën e SHBA dhe Britanisë së Madhe do të na sjellë në një penallti shumë të rëndë para Vuçiç dhe Serbisë".
Sipas tij ky është momenti që duhen shfrytëzuar të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, të cilët çdo ditë e më shumë po e izolojnë Rusinë dhe Putinin dhe indirekt janë duke e izoluar Vuçiç.
"Sa herë e shpreh publikisht mbështetjen e tij për Rusinë dhe Putin është në të mirën e kombit shqiptar" tha ai.
