Zgjidhja e mosmarrëveshjes me Sofjen, Kovaçevski falenderon Macron: Vendimi pas konsultimeve
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar marrjen e propozimit nga Presidenca franceze “me ide që lidhen me qëndrimet e njohura publike të Maqedonisë së Veriut”.
Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçeski, në një postim në facebook ka shkruar se qeveria e tij ka marrë propozimin zyrtar nga Franca për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Sofjen.
Ai ka nënvizuar se do ketë konsultime të gjera me presidentin, partitë politike dhe shoqërinë civile dhe më pas do të merret një vendim.
"Nga Presidenca Franceze, sot për qeverinë ka ardhur një propozim me ide në lidhje me qëndrimet tona të shprehura publikisht në lidhje me mosmarrëveshjen me Republikën e Bullgarisë. Ky propozim, i cili merr parasysh qëndrimet dhe kërkesat tona, do të vihet në një proces të gjerë konsultimi. Konsultimet në ditët në vijim do të zhvillohen në Qeveri, me partitë politike, me Presidentin e Shtetit, Parlamentin, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.Pas këtyre konsultimeve do të merret një vendim për propozimin. Siç edhe premtuam dhe pavarësisht spekulimeve të opozitës, vendimi për të ardhmen tonë do të merret bashkërisht në përputhje me interesat strategjike të vendit dhe të gjithë qytetarëve tanë".
Ai ka falenderuar Presidentin Macron dhe Presidencën Franceze në Bashkimin Europian për përpjekjet e tyre për të kapërcyer pengesat dhe për të ruajtur besueshmërinë evropiane në Ballkan.
