Vendimi: Policët që emërohen larg vendbanimit, do të kompensohen deri në 30 000 lekë në muaj

Efektivat e policisë që emërohen ose transferohen me detyrë larg vendbanimit do të marrin kompensim shtesë për shpenzimet e transportit duke nisur nga data 1 korrik. Qeveria ka miratuar vendimin që parashikon masën e kompensimit në formën e shtesës në pagë. Sipas tabelës, në varësi nga largësia prej vendbanimit, efektivat do të përfitojnë nga 10 deri në 30 mijë lekë të reja shtesë në muaj.

Tirane- Këshilli i Ministrave duket se ka vendosur të zgjidhë problematikën shumëvjeçare të krijuar e efektivat e policisë së shtetit që emërohen ose transferohen në detyra jashtë qytetit, rrethit apo qarkut ku kanë vendbabimin.

Me propozim të ministrisë së Brendshme, qeveria ka vendosur kompensimin e shpenzimeve shtesë me të cilat përballen efektivat kur punojnë larg vendbanimit.

Vendimi i qeverisë, shoqërohet edhe me një tabelë ku përcaktohet kompensimi në vlerë monetare sipas largësisë nga vendbanimi.

Referuar tabelës në fjalë, vlera më e ulët e kompensimit është 10 mijë lekë në muaj për largësi 36 deri në 60 kilometër nga vendbanimi. Ndërkaq vlera më e lartë e kompensimit është 30 mijë lekë në muaj për distance mbi 300 kilometër nga vendbanimi.

Kështu, kur polic emërohet, transferohet në mënyrë të përhershme apo të përkohshme jashtë vendbanimit të tij, përfiton pagesë për kompensim udhëtimi, si më poshtë vijon:

a) Nga 36 km deri 60 km, në masën 10 000 lekë në muaj;

b) Nga 61 km deri 100 km, në masën 15 000 lekë në muaj;

c) Nga 101 km deri 150 km, në masën 20 000 lekë në muaj;

ç) Nga 150 km deri 200 km, në masën 25 000 lekë në muaj;

d) Mbi 200 km, në masën 30 000 lekë në muaj.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, fillojnë nga data 1 korrik 2022, ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Problematika me orët shtesë dhe largësinë e vendit të punës nga vendbanimi janë kthyer në ccështjet më të mprehta për policinë e shtetit gjatë viteve të fundit.

Efektivat e rendit në pamundësi për të mbuluar vetë transportin detyrohen të marrin makina të rastit ose të përdorin mjetet e transportit public për të shkuar në punë ndërkohë që kjo kthehet në një kosto kohore dhe financiare për ta. Prej 1 korrikut 2022 tashmë kjo kosto do të ketë një kompensim ndërkohë që problematike mbetet ende situata me pagesën e orëve shtesë.

Vendimi i plotë i qeverisë:

Disa ndryshime në vendimin nr.256, datë 25.3.2015, të Këshillit të Ministrave, “për kompensimin për privacionet dhe humbjet që i shkaktohen punonjësit të policisë së shtetit, për shkak të nevojave të punës dhe të shërbimit”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1, shkronjat “b” e “ç”, e 2, të nenit 67, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

I. Në vendimin nr.256, datë 25.3.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Punonjësi i Policisë së Shtetit, kur emërohet, transferohet në mënyrë të përhershme apo të përkohshme jashtë vendbanimit të tij, përfiton pagesë për kompensim udhëtimi, si më poshtë vijon:

a) Nga 36 km deri 60 km, në masën 10 000 lekë në muaj;

b) Nga 61 km deri 100 km, në masën 15 000 lekë në muaj;

c) Nga 101 km deri 150 km, në masën 20 000 lekë në muaj;

ç) Nga 150 km deri 200 km, në masën 25 000 lekë në muaj;

d) Mbi 200 km, në masën 30 000 lekë në muaj.”.

2. Kudo në tekstin e vendimit, fjala “… transferuar …” zëvendësohet me fjalët “… emërohet, transferohet në mënyrë të përhershme apo të përkohshme …”.

3. Pika 13 shfuqizohet.

II. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, fillojnë nga data 1 korrik 2022.

III. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.