Përplasi të miturin dhe u largua, i vëllai tentoi të marrë fajin por policin e tradhëtojnë kamerat e sigurisë

Një efektiv i policisë së Korçës është shpallur në kërkim si i dyshuar për aksidentimin e një të mituri.

Ditën e sotme, Drejtoria Rajonale e AMP Korçë ka referuar materialet e para hetimore në Prokurorinë Pogradec, si edhe ka bërë shpalljen në kërkim për punonjësin e policisë N/komisar A. A., i dyshuar për “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, parashikuar nga neni 290 dhe 273 i Kodit Penal.

Nga veprimet e para rezulton se, një ditë më parë (28 qershor) punonjësi i policisë, duke drejtuar automjetin e tij, ka aksidentuar shtetasin e mitur O.S., 13 vjeç, i cili pasi ka marrë mjekim në spitalin Korçë është larguar për në banesë.

Gjithashtu, pas mbërritjes së shërbimeve të policisë në momentet e para të aksidentit, si drejtues i mjetit është paraqitur shtetasi M. A. (vëllai), por nga këqyrja e pamjeve filmike është provuar si drejtues i mjetit, punonjësi i policisë, A.A.

Sa më sipër, pas veprimeve hetimore në konsultim edhe me prokurorin e gatshëm, u referuan materialet në gjendje të lirë për shtetasin M. A., si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Deklarata e rremë para oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 dhe 305/b të Kodit Penal.