Hajdarmataj: Mbjellja e trafikimi i kanabisit kanë prapavijë politike, arsye pse shteti nuk godet grupet kriminale

Ish-drejtori i policisë, Arben Hajdarmataj, është shprehur se 2016 ka qenë periudha më e keqe e kanabisit në Shqipëri duke shtuar se është fatkeqësi që vendi ynë është marrë në shqyrtim nga OKB për një çështje të tillë.

Në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj, Hajdarmataj tha se mbjellja, kultivimi e trafikimi i kanabisit kanë prapavijë politike.

Ai tha se politikës nuk i intereson që të godasë grupet kriminale, pasi sipas tij i shfrytëzon për fushata elektorale.

Arben Hajdarmataj: Ne nuk habitemi edhe pse shohim se kanabisi është bërë problem. Është fatkeqësi që ne jemi një ndër shtetet që OKB ka marrë në shqyrtim. 2016 ka qenë periudha më e keqe e kanabisit në Shqipëri. Unë kam thënë që mbjellja, trafikimi i kanabisit ka prapavijë politike sepse në momentin që një ministër merr përsipër dhe ndërton ose kriminalizon të gjithë strukturën e shtetit në një aktivitet kriminal, ka një prapavijë politike që për mendimin tim shkon deri te kryeministri. Unë mendoj se duhet vullnet i politikës që të goditen të gjitha llojet e krimit, por unë mendoj se politikës nuk i interesojnë këto lloj goditjesh sepse është bërë pjesë e aktivitetit kriminal që e shfrytëzojnë për zgjedhje ashtu si në rastin e Elbasanit.(A.K, Ora News)