Mehmeti: Prisja që dje maturantët e “Sami Frashërit” të revoltoheshin, ata luftuan për foto me Ramën e Velijn

Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti, ka komentuar rezultatet e provimeve të maturës, ku këtë vit sipas rezultateve notat kanë qenë më të ulëta se vitet e tjera.

Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Siklajda Shorja, Mehmeti tha se nuk e ka fajin pandemia për rezultatet pasi sipas tij janë paguar rreth 9 milion euro për mësimin online.

Ndriçim Mehmeti: Kjo është kronikë e një krimi të paralajmëruar, sepse në 2014 përmbysën sistemin e arsimit. Të na thonë tani se ku na çuan gjithë këto. Kjo do të thotë se ata që dinë të shkruajnë të shprehen në të gjithë Shqipërinë janë vetëm 4 persona. Ministria bëri këtë reformë që bëri dhe dështoi. Nuk e ka fajin pandemia. Unë di që janë paguar nja 9 milionë euro për mësim online, për gjimnazin. Nuk e ka fajin që dolën keq nxënësit .

Më tej ai shtoi se: Ne kemi zhvillim profesional nul për mësuesit, mësuesit marrin një kredi dhe ikin.

Po ashtu ai ka komentuar edhe protestën e maturantëve, duke thënë se ishte e patolerushme që një grup dolën me pankartën në duar “ta vrasin."

Ndriçim Mehmeti: Ishte e patolerueshme, që ajo e ashtëquajtuar revolt e maturantëve, shkoi deri aty që një grup shkruante “ta vrasin”. Ça është kjo kulturë e maturantëve, kështu i kemi rritur që të vrasin për një provim? Një protestë nuk u mbështet nga mësuesit dhe prindërit. Mësuesi është një nënpunës i skllavëruar nga qeveria. Ne vdesim për fasadën.

Mehmeti, tha se Kryeministri Rama dhe Erion Veliaj diplomuan nxënësit te shkolla “Sami Frashëri” ndërsa shtoi se maturantët në vend që të revoltoheshin, luftuan se kush të bënte foto më parë me kreun e qeverisë dhe ministrant.

Ndriçim Mehmeti: Dje nuk pamë asnjë kundërshtim, dje ishte një super lajm. Në oborrin e shkollës Sami Frashëri, Veliaj vjen diplomon nxënësit e Sami Frashërit. Prisja që këta maturantë revoltues të mëdha të nxirrnin një pankartë që ju na çuat varavinga tre vite dhe tani talleni me ne që na ftoni te shkolla. Lufta aty ishte se kush të bënte foto me kryeministrin dhe ministrat.(A.K. Ora News)