Djemtë heqin nënën nga pronësia, legalizojnë hotelin në qendër të Tiranës në emër të tyre
Një qytetare nga Tirana ka kallëzuar dy djemtë e saj se e kanë zhveshur nga pronësia e një hoteli në qendër të kryeqytetit me anë të mashtrimeve.
Bëhet fjalë për një godinë katër kate mbi tokë dhe një nëntokë në qendër të kryeqytetit, pranë Gjykatës së Lartë.
Me kërkesë të prokurorit Bledar Valikaj gjykata ka vendosur ndaj dy vëllezërve Elvis dhe Endri Turtulli masën e sigurisë "detyrim paraqitje" teksa u pezulluan nga detyra 7 punonjës të Kadastrës, Erjona Pema, Klajdi Dervishi, Genc Tufi, Elsa Sherja, Briseida Baraj dhe Anisa Caka.
Sipas denoncimit të bërë në prokurori, kallëzuesja thotë se dokumentet e pronësisë mbi origjinalin janë zhdukur në Hipotekën e Tiranës.
Gjatë hetimeve të prokurorisë rezulton se kallëzuesja është mashtruar duke u zhveshur dhe tjetërsuar prona hotel "Europa" e ndodhur në adresën rruga "Reshit Çollaku" nr. 101 Tiranë.
"Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se shtetasja V.K, është mashtruar duke u zhveshur dhe duke iu tjetersuar prona– Hotel “Europa” e ndodhur në adresën: Rruga “Reshit Çollaku” nr.1001 Tiranë, pranë Telekom Tiranë" informon prokuroria.
Si nisi tjetërsimi?
Procesi i zhveshjes nga prona dhe tjetërsimit të saj fillon me deklarimin e djemve të saj në zyrën e ALUIZNI-t se ky objekt hotel "Europa" është ndërtim pa leje i ndërtuar në vitin 1998, fakt ky jo i vërtetë, pasi në vitin 1995 ky objekt ka qenë i pajisur me certifikatë pronësie nga Hipoteka në emër të ish-bashkëshortit të saj.
Dy djemtë e saj kanë deklaruar se objekti është ndërtuar në 1998 kur mosha e tyre ka qenë njëri 18 vjeç dhe tjetri 16.
Në lidhje me tokën ata kanë deklaruar se nuk e dinë se e kujt është pasi është ndërtuar në truallin e familjes dhe është regjistruar me njohje fakti sipas ligjeve të asaj periudhe.
Sipas prokurorisë, në bazë të këtyre deklarimeve të rreme, si përfundim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë me 5 tetor 2015 është legalizuar ky objekt dhe janë pajisur me certifikatë pronësie djemtë e saj, duke zhveshur nga prona nënën e tyre në një kohë që ky objekt me vendim gjykate i kishte kaluar asaj në pronësi.
Dy djemtë akuzohen në këtë dosje për mashtrim, ndërkohë që 7 zyrtarë akuzohen për shpërdorim detyre dhe u pezulluan.
