Eduard Sharka: Kryeministri të marr përgjegjësitë që i takon për fermerët
Eduard Sharka, kreu I Sindikatës së Fermerëve, njëkohësisht kryetar I PD Lushnje i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama pas një deklarate të tij ditën e djeshme ku ua vuri fajin fermerëve që nuk arrijnë të gjejnë treg shitjeje për produktet e tyre.
Sharka u shpreh se Rama duhet të marr përgjegjësitë që i takon për fermerët.
Eduard Sharka: Reagimi i kryeministrit nuk ishte për herë të parë është e disata herë që kryeministri nuk merr përgjegjësitë që i takojnë si kryeministër por fajin ua vë fermerëve për dështimin e tyre pse ata nuk mbjellin kulturën e duhur dhe nuk përshtaten me kërkesat e tregut sepse 1 ndër 100 fermer e bën këtë dhe 99 të tjerët janë fajtor. Unë do ti ktheja përgjigje kryeministri që ky është një qëndrim shumë i gabuar. Nuk do të guxonte asnjë kryeministër. Asnjë fermë në botë nuk ka kapacitete të studiojë tregun sepse tregu është një konjukturë që lëviz.
Gjithashtu Sharka në emisionin “Ditë e Re” foli dhe për problemet e fermerëve dhe ndihmesën ligjore lidhur me situata të tilla.
Eduard Sharka: Një nga problemet më të cilat preken fermerët është mosshitja e produkteve, produktet e tyre po hidhen në kanale. Aktualisht është qershia. Këto janë kriza që kanë ndodhur këto 5 vitet e fundit, njihen si kriza të rënda tregu. Janë parashikuar dhe në ligj se si të parandalohen dhe si të lehtësohet barra e këtyre krizave. Ka ngelur një nen atje dhe nuk është zhvilluar më tej me akte normative dhe veprime konkrete gjë të cilën e bën çdo shtet i rajonit, nuk diskutohet i Evropës. Këto 5 vite në sezone të caktuara është hedhur molla, patatja, qepa e Korçës së fundmi qershia në Peshkopi dhe në Mallakastër. Në momente të caktuara oferta është më e madhe se kërkesa dhe si përfundim hidhet dhe fermerët dëmtohen shumë.