Arrestohet kapoja i grupit që hidhte në treg kartëmonedha "50$" false në Tiranë e Korçë
Është vënë në pranga një 46 vjeçar i cili akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë hidhte në treg kartëmonedha të dyshuara të falsifikuara.
Arrestimi i 46 vjeçarit me inicialet L. D u bë falë operacionit policor të koduar "50 Dollars" i cili kishte nisur 2 muaj më parë, kohë në të cilën u vunë në pranga 3 shtetas për të njëjtën akuzë.
"Nga veprimet hetimore dyshohet se ky 46 vjeçari është organizatori i një grupi personash që ka hedhur në qarkullim nëpër subjekte të ndryshme tregtare, në Tiranë dhe në qytetin e Korçës, kartëmonedha të dyshuara të falsifikuara", njofton policia.
Gjatë kontrollit fizik atij i është gjetur një sasi e konsiderueshme kartëmonedhash të prerjes 50 dollarë, të dyshuara të falsifikuara, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin që ai përdorte.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.


