"Bojkoti i avokatëve, trokitje politike", Maks Haxhia: S'mund të ketë hartë të re gjyqësore pa hartë territoriale
Kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, Maksim Haxhia, thotë se nuk mund të bëhet harta e re gjyqësore pa u bërë më parë harta e re territoriale. Reforma për këtë të fundit vetëm sa ka marrë udhë me konstituimin e komisionit parlamentar.
I ftuar në emisionin "Drejt" në Rtv Ora, Haxhia thotë se qeveria është ende në kohë të reflektojë.
"Kemi një vendim të datës 10 qershor të KLGJ që kjo hartë është produkt i saj. Harta është paraqitur në qeveri sepse do hedhin para. Në fund çdo gjë është para dhe financë. Ajo që nisëm është vetëm fillimi. Gjithë propozimet tona në 6 tavolina nuk u morën parasysh, vetëm një është marrë. Gjykata e Sarandës do qëndrojë. Bojkoti jonë është një trokitje sociale te qytetarët, trokitje politike, legjislative dhe ekzekutive për tu thënë që sa jemi në kohë të nxjerrim një produkt sa më të mirë. Por jo nga një masë ekstreme që kemi 6 Apele me një zgjidhje ekstreme me 1 Apel".
Haxhia shtoi se komuniteti i avokatëve e ka kontestuar hartën e re jo për të shprehur mosdakordësi me reformën gjyqësore por për të pasur një produkt sa më të arsyeshëm dhe funksional.
"Jemi të interesuar për reformën. Reforma duhet të prodhojë një drejtësi të shpejtë dhe cilësore. Kemi paraqitur kontenstimin që kur u njohëm me draftin. Harta e re nxjerr shumë probleme".
