Helikopteri ju vjen në ndihmë, shpëtohen 4 alpinistët e bllokuar në majën e Zhaporres

Janë evakuuar 4 alpinistët që ishin bllokuar në majën e Zhaporres.

Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se helikopteri tip EC 135 ka evakuuar nga maja e Zhaporres në zonën e Valbonës, në 2328 metra lartësi 4 alpinistët.

Dy prej alpinistëve të dëmtuar janë dërguar në Spitalin Ushtarak të Traumës, Tiranë për të marrë ndihmën mjekësore.

Ata u bllokuan në terrenin e thepisur rreth orës 18:00 të ditës së sotme (26 qershor).

Florjan Sini një prej alpinistëve përmes një lidhjeje telefonike me Ora News bëri me dije se ato kanë qenë një grup prej 7 vetash.

Duke qenë se disa prej tyre kanë dashur të ecin më shpejtë e disa më ngadalë janë ndarë në 2 grupe.

Pasi një pjesë e tyre kanë zbritur në Valbonë janë njoftuar nga njëri prej të bllokuarve përmes telefonit lidhur me incidentin.

Për shkak të terrenit të vështirë vetëm falë ndërhyrjes së helikopterit u bë i mundur shpëtimi i tyre.