Matura Shtetërore/ Publikohen rezultatet e provimit të matematikës, 1729 maturantë ngelës
Provimi i matematikës ka rezultuar i vështirë për mbi 1 mijë e 700 maturantë të cilët nuk kanë mundur të kalojnë duke u vlerësuar me notën 4.
Këtë vit numri i maturantëve mbetës është më i ulët se ai i vitit të shkuar ku nuk mundën të kalonin provimin afro 3 mijë nxënës.
Me notën 10 absolute janë vlerësuar 234 maturantë të cilët kanë mundur të marrin 60 pikët maksimale të testit.
Numër ky shumë më i lartë se viti 2021 ku vetëm 4 nxënës morën rezultate maksimale.
Kalueshmëria për këtë provim është 94.20% ndërsa nota mesatare është 6.88.
Maturantët janë njohur po ashtu me notat e provimit të Gjuhës së Huaj si dhe Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Në këtë të fundit nga 33 mijë gjimnazistë vetëm 4 mundën të merrnin 10 absolute.
Sa i përket provimit të fundit, atij në lëndën me zgjedhje nxënësit shprehën pakënaqësi për hartimin e testit të Biologjisë dhe lëndëve të tjera shkencore.
Nisur nga ankesat Ministria e Arsimit ka siguruar maturantët se do të merren të gjitha masat që ata të vlerësohen sipas meritës dhe nivelit të arritjeve.