Fshat turistik por rruga me gropa, bashkia e Tiranës harron aksin drejt Pëllumbasit

Banorët por edhe vizitorët po vuajnë pasojat e rrugës drejt fshatit turistik Pëllumbas, e cila është lënë në harresë. Qytetarët thonë se edhe pse zona është një ndër 100 fshatrat turistik të promovuar nga kryebashkiaku i Tiranës, aksi dhe krejt zona nuk ka përfituar asnjë investim.

Kjo është rruga në hyrje të fshatit Ibë. Në këtë aks kalojnë dhe turistë që duan të shkojnë në shpellën e Pëllumbasit, një destionacion turistik dhe ndër 100 fshatrat të promovuar nga kryebashkiaku Veliaj.

Rruga është e amortizuar, me gropa të shumta ndërsa kamionët që kalojnë aty e shkatërrojnë e më shumë.

Pluhuri që krijohet nga rruga ka tjetërsuar edhe gjelbërimin e pemëve.

"Nuk ha dot një frut, shiko si është bërë."

"Çfarë të bëjmë, deri te ajo shtëpia atje lart shkon tymi."

Banorët thonë se rrugës vetëm një herë i është hedhur një makinë zhavor, kur Kryeministri vizitoi një familje të zonës.

"Njëherë e mbushën me çakull kur erdhi kryeministri Rama te Gëzim Kame dhe e harruan."

Thonë se fshati është lënë në harresë, ndërsa premtimet për infrastrukturën pushtetarët i harrojnë sapo mbarojnë zgjedhjet.

"Sa herë vijnë votimet vijnë dhe thonë do shtrojmë rrugën."

Qytetarët i bëjnë thirrje Kryebashkiakut të kujtohet për këtë zonë duke marrë masat për normalizimin e rrugës.

"Të hapin sytë dhe të shohin popullin, këta që kanë mbetur. Po ikin përditë, tre ikën tani nga lagjja ime, tre çuna të rinj ikën."

"Është pjesë e 100 fshatrave, ku do kalojnë turistët për të shkuar në Pëllumbas? Duhet vënë dorë."

Fshat turistik por rruga me gropa, bashkia e Tiranës harron aksin drejt