Shqipëria e fundit për të ardhurat për frymë, PD: Qeveria Rama mbrapa-ecje, të parët vetëm për braktisje atdheu e propagandë

Partia Demokratike përmes anëtarit të kryesisë së PD, Eno Bzdo ka reaguar pas publikimit të studimit të Eurostat për të ardhurat për frymë ku Shqipëria renditet ndër vendet me të ardhurat më të pakta.

Në deklaratë thuhet se qeveria Rama vazhdon të thyejë rekorde në vend-numëro dhe mbrapa-ecje. Gjithashtu në deklaratën e PD thuhet se shqiptarët janë të parët vetëm në numrin e atyre që braktisin atdheun dhe në propagandën qeveritare. 

Kusht për antarësim në Bashkimin Europian janë Kriteret e Kopenhagenit  të konvergjencës ekonomike dhe sipas PD Shqipërisë i duhet plot një shekull për plotësimin e këtyre kritereve, bazuar në të dhënat në të cilat Shqipëria resultoi sipas Eurostat.

Sipas Eurostat konsumi aktual individual për frymë në 2021 për Shqipërinë rezulton 32% e mesatares europiane. 

Sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor, Bosnjë Hercegovina ka të ardhura për frymë sa 33% të mesatares së BE-së, ndërsa Maqedonia e Veriut 42%. Serbia rezulton me të ardhura për frymë 44% të mesatares europiane, Mali i Zi 47% ndërsa Kosova nuk përfshihet në statistikat e nxjerra nga Eurostat.

Deklarata e plotë:

Qeveria Rama vazhdon të thyejë rekorde në vend-numëro dhe mbrapa-ecje.

Eurostat, në një klasifikim të fundit, e rendit vendin tonë në bisht të Europës në të ardhurat për frymë për vitin 2021.

Që do të thotë se mesatarja e të ardhurave të një shqiptari është sa 32 përqind e një qytetari europian. Çka do të thotë: më shumë se tri herë më pak. 

Shqipëria renditet më poshtë se të gjitha vendet e rajonit duke ndjekur madje edhe vende të pastabilizuara politikisht si Bosnje Hercegovina. 

Maqedonia është 10 pikë përqindje më lart se Shqipëria. 

Serbia 12 pikë më lart. 

Mali i Zi kryeson rajonin, duke shënuar thuajse gjysmën e të ardhurave për frymë të mesatares së BE.

Për të plotësuar “Kriteret e Kopenhagenit” të konvergjencës ekonomike, kusht për antarësim në Bashkimin Europian, Shqipërisë i duhet plot një Shekull.

Edhe në konsumin individual për frymë, që tregon fuqinë blerëse të qytetarëve dhe mirëqenien e një vendi Shqipëria është e fundit. 

Jemi të parët vetëm në numrin e atyre që braktisin atdheun dhe në propagandën qeveritare. 

Pra, siç shihet "qentë lehin, por karvani NUK bën përpara".  

Shifrat e Eurostat-it e bëjnë me dije fort mirë se kush janë qentë.