Arrestohen hajdutët e biçikletave në Tiranë, e fundit që vodhën kushtonte 5 mijë euro (Video)

Katër të rinj të moshës 18 – 20 vjeç janë arrestuar si autorë të dyshuar të një sërë grabitjesh të biçikletave në Tiranë ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Biçikleta e fundit që kanë vjedhur është me vlerë 5 mijë euro. Ngjarja ka ndodhur më 26 maj në rrugën e Dibrës ndërsa gjatë kontrolleve të banesave të këtyre shtetasve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 4 biçikleta të dyshuara të vjedhura.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Si rezultat i këtij operacioni u ndaluan shtetasit:

M. D., 20 vjeç, K. M., 19 vjeç, E. C., 18 vjeç dhe D. L., 20 vjeç, të katërt banues në Tiranë, për veprën penale "Vjedhja", kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi M. M., 19 vjeç, banues në Berat.

"Këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur disa biçikleta, në kohë dhe në vende të ndryshme. Nga tërësia e veprimeve hetimore dyshohet se këta shtetas, më datë 26.05.2022, në Rrugën e Dibrës, kanë vjedhur një biçikletë me vlerë 5000 euro" informoi sot policia e Tiranës.

Operacioni u kodua “Pedals” dhe u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 4.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera, që mund të jenë kryer nga këta shtetas.