Tharja e Drinos zbulon skandalin me mbetjet spitalore, mbeten pranë fshatit Lazarat
"Janë burim infeksioni, shiringa, aparate serumesh, mbetje spitalore hidhen në lumë".
Tharja e rrjedhës së lumit Drino ka zbuluar skandal dhe dështimin me menaxhimin e mbetjeve spitalore në Gjirokastër. Mbetje të rrezikshme kanë mbetur pranë fshatit Lazarat, ku banorët thonë se fenomeni është i përsëritur.
Nuk dihet ku u hodhën dhe kush e bëri, por tharja e rrjedhës së lumit Drino i zbuloi pranë fshatit Lazarat në Gjirokastër.
"Tani që mbeti lumi i shohim."
Skandal e dëshmi e dështimit me menaxhimin e mbetjeve dhe veçanërisht ato të rrezikshme spitalore.
Por për banorët e Lazarati është pamje e njohur.
"Janë hedhur dhe herë të tjera, i mori lumi poshtë. Tani i hedhin prapë, nuk dimë kush i hedh këto mbetje spitalore."
"Kjo ka vazhduar tërë kohën."
Në Lazarat, ka një qendër shëndetësore, por atje askush nuk guxon të flasë pa leje pasi mund tu kushtojë vendin e punës.
Banorët thonë se në vazhdimësi kanë denoncuar fenomenin dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve vendore, por asgjë s'ka ndryshuar.
"Qeveria paguan inspektorë për këtë punë, ku kullosin ata të mjedisit?"
"Qeveria merr taksat, derisa na merr taksat të përgjigjet."
Pas denoncimit të skandalit, në zonë u shfaqën inspektorët e Agjensisë së Mjedisit në Gjirokastër.
Bënë foto për të dokumentuar ndotjen dhe ikën, por banorët dyshojnë se kjo ishte sa për procedurë, e nuk presin që fajtorët e ndotjes të zbulohen e ndëshkohen.