Tiranë -Athinë, drejtorët e 2 policive bëhen bashkë të luftojnë krimin ndërkufitar

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano në një vizitë në Athinë ditën e sotme është takuar me homologun e tij, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë greke Lieutenant Konstantinos Skoumas.

Gjatë takimit, Nano dhe Skoumas  theksuan nevojën për forcimin e kuadrit të përbashkët strategjik për luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar, trafikut të drogës, emigracionit të paligjshëm, si dhe për hetimin e  rasteve të vrasjeve.

Gjithashtu, u shpreh vullneti i ndërsjellë për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit mes dy vendeve, në çështjet e sigurisë, bashkëpunimit policor, shkëmbimit të informacionit dhe realizimit të trajnimeve të përbashkëta.

Nano është shprehur gjatë takimit se Policia shqiptare është e mirorientuar dhe e vendosur për të bashkëpunuar me partnerët, në veçanti me vendet fqinje, për të rritur forcën parandaluese dhe goditëse ndaj krimit të organizuar dhe krimeve ndërkufitare.