Harta e re gjyqësore, avokati Visha thyen bojkotin, KLGJ: Ligji ndalon gjykatat me më pak se 7 anëtarë

Në ditën e dytë të protestës së avokatëve që është bërë shkak për shtyrjen e qindra seancave gjyqësore në vend, kryerja e KLGJ ka mbrojtur hartën e re gjyqësore. Ajo tha se ndryshimi është detyrim, pasi ligji parashikon jo më pak se 7 gjyqtarë në gjykata. Po kështu, Llagami theksoi para deputetëve se harta është bërë duke marrë parasysh ngarkesën në gjykata dhe lëvizjet demografike të 3 viteve të fundit.

Edhe pse në ditën e dytë të protestës së avokatëve u bllokuan qindra seanca, mazhoranca dhe këshilli i lartë gjyqësor e konsiderojnë variantin e reduktimit të gjykatave në rrethe dhe atyre administrative më të mirin.

Në komisionin e ligjeve kryetarja e KLGJ u shpreh se janë përcaktimet ligjore që sjellin një hartë të tillë.

“Kishim gjykata të tjera që ishin me 5 gjyqtarë, që nuk kapin kriterin ligjor për me 7 anëtarë, sikurse kërkohet.”

Madje ajo shton se në studim janë marrë në shqyrtim për tre vite lëvizjet demografike, situata ekonomike, çështjet e paraqitura në gjykatë etj.

“Kemi analizuar 3 vite prurje për gjykata, madje edhe 4 vite. Projekti është 172 faqe.”

Vendimi për hartën sipas saj është marrë nga trupa e përbërë prej 10 gjykatësve dhe me vetëm një votë kundër.

“Kolegu që nuk u bashkua me shumicën nuk ishte gjyqtar.”

Në raportim Llagami solli në vëmendje edhe numrin e lartë të dosjeve që duhet të përballojë një gjykatës si pasojë e largimeve prej Vettingut.

“7.9 gjyqtarë për 100 mijë banorë. Kjo është shumë më pak se norma evropiane. Gjatë vitit 2021 ka qenë 536 çështje për gjyqtar.”

Në gjykatën e lartë dosjet vazhdojnë të jenë të larta edhe pse ka një rënie të tyre si pasojë e nisjes së punës.

“E ka filluar vitin me 36 300 çështje në pritje për gjykim. Kanë funksionuar me 39% të gjyqtarëve dhe kanë arritur që të evitojnë 3325 çështje.”

Në komision Llagami nënvizoi dhe vazhdimin e punës për pranimin e magjistratëve të rinj që do të duhet të plotësojnë pas përfundimit të studimeve vendet e mbetura bosh.

“Sot kemi një situatë që një gjyqtar që gjykon edhe civile edhe penale, nuk mund të jetë efektiv.”