Llagami mbron Hartën e re Gjyqësore: Gjyqtarët nuk aplikojnë për të shkuar në rrethe, duan vetëm në Tiranë
Në Komisionin e Ligjeve në raportimin e KLGJ-së, Naureda Llagami anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor tregoi dhe detajet që çuan në krijimin e hartës së re gjyqësore.
Ajo tha se një pjesë e gjykatave në Shqipëri ishin me 4 gjyqtarë, që nuk kapin kriterin ligjor, sepse duhen 7 gjyqtarë sipas ligjit dhe se harta e re gjyqësore do të sjellë eficencë në gjykimin e çështjeve.
Llagami: Ne i kemi parë të gjitha indikatorët. Ngarkesa e prurjeve që kanë gjykatat janë analizuar, edhe në aspekt cilësor. Ka një informacion shumë të detajuar për këtë çështje. Debati i vetëm ka qenë përqendrimi vetëm në një Apel. Një pjesë e gjykatave në Shqipëri ishin me 4 gjyqtarë, që nuk kapin kriterin ligjor, sepse duhen 7 gjyqtarë sipas ligjit. Kishim gjykata me 6 gjyqtarë në strukturë. Po ashtu duheshin mbajtur shumë indikatorë të tjerë.
Thelbi i hartës nuk ka lidhje me backlog (akulimin e dosjeve të pagjykuara) por me çështjet e reja që vijnë në gjykatë.
Sot kemi situatën ku një gjyqtar gjykon dhe Penalen dhe Civilen. Nuk mund të gjykojë ai me efektivitet. Në 2028 parashikohen të hyjnë në sistem 144 kandidatë magjistratë.
Sot me gjyqtarët që kemi jemi 224 nga 408 që kishim.
Këshilltarët ligjorë?
"Ata janë përfshirë në sistemin gjyqësor por është vënë re se ata heqin dorë pasi synojnë magjistratin" tha Llagami.
Kryetarja Llagami shprehu shqetësim se gjyqtarët hezitojnë të shkojnë në disa gjykata.
Llagami: Ne po përpiqemi maksimalisht. Ajo që kemi ne shqetësim është se nuk kemi prurje. Ne kemi hapur disa herë për aplikim dhe nuk ka prurje, përpos Apelit të Tiranës. Gjyqtarët nuk marrin riskun që të përfshihen në ngritje në detyrë, sepse ne kemi përfshirë standardin e Vettingut dhe fakti që nuk kanë interes, sepse duan një gjykatë më të mirë si ajo e Tiranës. Në Shkodër kemi hapur 4 herë procedura aplikimi dhe nuk kanë aplikuar. Ka një interes të ulët për gjithë qytetet. Hezitojnë të aplikojnë.
Ky është shqetësimi jonë për gjyqtarin. A mund të krahasohet një gjyqtar sa çështje ka Përmeti me atë të Tiranës? A do të çedojë ai tek drejtësia. Pa tjetër. Prandaj eficenca dhe harta garanton këtë. Që të gjithë gjyqtarët të mbajnë të njëjtën ngarkesë të kenë të njëjtën pagesë dhe eficencë. Duke pasur sistem të ekuilibruar të ngarkesës me shërbimin kontrollojmë më mirë cilësinë e shërbimit.
