Drejtësi pas 8 vitesh për familjen në Fier që u dhunua nga policia, i riu: Qytetarët t’i drejtohen gjykatës evropiane

Pasi Panajot Alushi dhe katër anëtarët e familjes së tij nga fshati Romas i Fierit u shpallën fajtor nga gjykata e Fierit, dhe më tej ajo e lartë dhe në Kushtetuese, të drejtën e kërkuan në Gjykatën Evropian të të Drejtave të Njeriut.

Shkak është bërë përplasja në vitin 2013 kur blutë ushtruan kontroll në lagje. Në momentin që ka hyrë në banesë policia deklaron se ka hasur në kundërshtim prej familjes, duke shkuar deri në akuzën për dhunë.

Pretendim që u mbështet nga të gjitha shkallët e gjykatës në Shqipëri. Madje sistemi i drejtësisë ka rrëzuar pretendimin e 5 anëtarëve të familjes, përkatësisht tre breza nip, djalë dhe gjyshër, që akuzuan se ishin forcat e rendit që i dhunuan madje në pronë të tyre

8 vite pas kësaj ngjarje dhe përballje me drejtësinë shqiptare, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka gjetur fajtor shtetin shqiptar.

Madje gjykata ndërkombëtare konfirmon atë që në Shqipëri nuk u dëgjua blutë kanë ushtruar dhunë dhe se oficerët e rendit nuk u hetuan kurrë nga drejtësia shqiptare.

I lumtur për vendimin Alushi ka një thirrje për qytetarët shqiptarë të cilët mund të kenë humbur shpresat për drejtësi.

“I drejtohem qytetarëve shqiptarë mos të humbasin shpresat, sepse në Shqipëri nuk ka drejtësi. Ne jemi të barabartë. Qytetarët t’i drejtohen gjykatës evropiane për të gjetur të drejtat e tyre."- tha ai. 

Sipas vendimit të GJEDNJ Shqipëria ka shkelur nenin 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ndërsa shteti do I japë 3 prej 5 ankuesve një dëmshpërblim monetar me vlerën e 4500 eurove secilit. Shqipëria ka humbur 2 gjyqe në dy javët e fundit në Gjykatën e Strazburgut për shkeljen e të drejtave të njeriut!