Skandal në Divjakë/ 5000 rosa të ngordhura në fermë, autoritetet heshtin 2 javë
Rreth 5 mijë rosa kanë ngordhur së fundi në një fermë në Divjakë. Drejtuesi i subjektit privat thotë se pavarësisht se lajmëroi të gjitha institucionet askush nuk reagoi prej dy javësh ndërsa vetëm sot janë paraqitur specialistët që kanë karantinuar zonën.
Javën e parë të qershorit në Divjakë kanë ngordhur rreth 5 mijë rosa.
“Kanë ngordhur 4200 rosa, brenda javës.”
Ardjan Bakiu deklaron se po ato ditë ai ka njoftuar të gjitha institucionet lokale dhe qëndrore, por askush nuk iu përgjigj.
“Na ka ardhur vetëm bashkia e Divjakës. S’u bë njeri tjetër i gjallë, as nga shteti. I njoftova të gjithë organet drejtuese, të gjithë njerëzit.”
Ai thotë se u detyrua që t’I groposte vetë rosat, ndërsa dy javë më vonë atje shkuan edhe autoritetet shtetërore që bënë zhgroposjen e rosave, dhe futjen e tyre përsëri në tokë sipas ligji.
“Sot erdhën ata dhe bën zhvarrosjen dhe bën varrosjen në gropat masive.”
Pronari Ardjan Bakiu kërkon që të zbatohen rregullat veterinare për të nxjerrë rezultatin e ngordhjeve dhe institucionet përkatëse të ndërhyjnë për të rimbursuar shpenzimet e kryera pasi dëmi shkon në më shumë se 20 mijë euro.

