Rama dhe Abazoviç vizitojnë Kievin: Bota të ndalë këtë horror që Ukraina të rilindë
Me tren dhe nën shoqërinë e forcave Renea dhe të Gardës së Republikës, kryeministri Edi Rama sëbahku me homologun shqiptaro-malazez Dritan Abazovic kanë mbërritur në Kiev pas 12 orë udhëtimi.
Nën masa të rrepta sigurie Rama dhe Abazoviç kanë parë nga afër, në zonën e Borodyanka dhe Irpin, pasojat fatale të luftës për qytetarët e Ukrainës nga sulmet ruse
Në pritje të takimit me Presidentin Zelensky, kryeministri shqiptar ka marrë pjesë në ekspozitën “Forever free Ukrainë” në Muzeun Kombëtar, aty ku dëshmohen gjurmët e agresionit rus mbi Ukrainën nëpërmjet ekspozimit të objekteve të luftës, sendeve personale dhe fototve të ushtarëve dhe civilëve.
Shënimit të tij emocional në librën e kujtimeve të Muzeut, Edi Rama i ka kërkuar botës që të ndalë këtë horror që Ukraina të mund të dalë nga kjo e rilindur.
Në orët në vijim Rama dhe Abazoviç do të priten në takim nga Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, takim që do të pasohet nga Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama, Kryeministrit Abazoviç dhe Presidentit Zelensky. Kryeministri Rama do të takojë gjatë ditës Kryeministrin e Ukrainës si dhe Kryetarin e Bashkisë së Kievit Vitali Klitschko.
