Kundërshtarët e SHBA-së bëhen bashkë, aleancë mes Iranit dhe Venezuelës, dy ndër prodhuesit kryesorë të naftës
Venezuela dhe Irani kanë dakordësuar një marrëveshje 20 vjeçare me njëri – tjetrin për të zhvilluar edhe më tej aleancën e tyre tregëtare dhe ushtarake.
Nicolas Maduro ndodhet në Iran për një vizitë zyrtare dy ditore, ndërsa ka falenderuar Iranin për ndihmën që i dha vendit të tij duke dërguar tankera me naftë.
"Dorëzimi i naftës nga Teherani në Karakas ishte një ndihmë e madhe për popullin venezuelian," tha Maduro.
Të dyja vendet ndodhen nën sanksione amerikane, ndërsa kanë gjetur si mënyrë bashkëpunimin mes tyre. Në një konferencë të përbashkët shtypi të shtunën, Raisi dhe Maduro nënshkruan një marrëveshje 20-vjeçare për të zgjeruar lidhjet në industrinë e naftës, atë petrokimike, ushtrinë dhe ekonominë.
Maduro tha se Venezuela dhe Irani janë të bashkuar nga "një vizion i përbashkët" për çështjet ndërkombëtare dhe janë të dy viktima të masave shtrënguese nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj. Edhe Irani e përshëndeti vizitën e Maduros ndërsa theksoi lidhjen e marrëdhenieve më të ngushta.
Situata politike në Venezuelë është e rëndë, po ashtu edhe ajo ekonomike. Opozita venezueliane mbështetet nga amerikanët, ndërsa Maduro shihet si një lider me tipare të forta autokrate dhe ka marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Kinën, së fundmi dhe me Iranin.
Sekretari amerikan Blinken, në mbyllje të samit të kontinentit amerikan në Los Anxhelos, ku asnjëra prej palëve politike venezueliane nuk ishte e ftuar, foli gatishmërinë e SHBA për të lehtësuar sanksionet nëse Maduro bën kompromis me opozitën e Juan Guaidos.

