Lewandowski-Bayern Munich, një divorc shumë i dhimbshëm
Bayern Munich-Lewandowski, një tjetër akt lufte mes palëve. Sulmuesi polak nuk tërhiqet nga deklaratat agresive në adresë të klubit ku kaloi 8 sezone. Nga grumbullimi i Kombëtares ai ritheksoi dëshirën për të hapur një kapitull të ri madje nuk ngurroi të theksonte:
“Besnikëria dhe respekti janë më të rëndësishme se puna. Gjëja më e mirë që duhet të bëjmë është që të gjejmë një zgjidhje. Diçka brenda meje ka vdekur dhe nuk mund të kaloj mbi këtë gjë. Nuk kam marrë në konsideratë asnjë ofertë tjetër përveç Barcelonës dhe dua të largohem nga Bayerni, kjo është shumë e qartë”.
Mesazh i qartë nga ana e 33-vjeçarit që kërkon një zgjidhje diplomatike që t’i kënaqë të dyja palët dhe jo vetëm njërën. Një situatë që reflektin tensionin mes palëve por që rrezikon të përfundojë edhe në një fund shumë të keq me sulmuesin në stol dhe Bayernin që nuk përfiton asnjë qindarkë.
Në 8 sezone me fanellën e Bayernit të Mynihut, Lewandowski ka shënuar 344 gola në 375 ndeshje ndërsa këtë sezon ai e mbylli me 50 realizime në 46 takime. Që pas transferimit nga Dortmundi, numri 9 ka fituar 14 trofe përfshirë edhe 8 tituj kampionë dhe një UEFA Champions League.

