Sistemi i ri i biletave elektronike ende shumë larg zbatimit

Sistemi i ri i biletave elektronike duket se është ende shumë larg zbatimit.

Edhe pse ligjërisht duhet të kishim një biletë elektronike kreu i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban Dashnor Memaj thotë se operatorët ende kanë vështirësi në procesin e fiskalizimit. Ndërsa sipas tij disa nga ato nuk kanë bileta për shkak se shtypshkronjat nuk printojnë më dhe kjo i ka detyruar të gjejnë mundësi alternative.

Dashnor Memaj: Prej shumë kohësh po punohet për diçka të tillë. Duke qenë se jemi në procesin e fiskalizimit dhe ligjërisht ne jemi subjekte që jemi të fiskalizuara duhet të kishim biletën elektronike të fiskalizuar në të njëjtën kohë. Natyrisht është një sektor më specifik dhe ka dashur një studim më të mirë nga instancat të cilat merren me këtë punë. Edhe në këtë moment që flasim shumica e operatorëve nuk kanë bileta fizike sepse shtypshkronja që është në varësi të tatimeve të përgjithshme nuk printon bileta. Operatorët kanë gjetur mundësi alternative për të mos pasur penalitete financiare në raport me prerjen e biletave.

"Ne po presim në këtë moment një faturë përmbledhëse për secilin mjet për të qenë në rregull me raportimin financiar", tha ai.

 Memaj gjithashtu kërkoi përmirësimin e qarkullimit të automjeteve dhe dedikim të korsive për autobusët.

Dashnor Memaj: Ajo që kemi kërkuar ne prej shumë kohësh është korsitë e dedikuara për autobus sepse jo vetëm do të shmangin aksidentet ose avaritë që mund të ndodhin rrugës por do të jepnin mundësi që të kishim një transport më dinjitoz dhe qytetrët të kapnin punët e veta më shpejt më mië.

Ai gjithashtu apeloi ndërgjegjësim të drejtuesve të mjeteve të cilët zënë hapsirat dedikuar autobusëve duke e parkuar mjetin rrugë.