“Më tha hajde shpejt në studio”/ Mateus Frroku rrëfen prapaskenat e këngës me Bes Kallakun
I ftuar në emisionin “Jeto me Orën”, në RTV ORA, këngëtari i mirënjohur Mateus Frroku foli për këngën e re të publikuar, “Rrapatushe”, në bashkëpunim me Bes Kallakun. Ai rrëfeu se kënga është realizuar shumë shpejt dhe me energji shumë pozitive.
Teksa foli për sezonin veror, ai u shpreh se është i lumtur që do të mund të këndojë dhe theksoi se në vjeshtë vjen me një baladë.
Mateus Frroku: Në një bisedë normale, ishin vendosur disa piketa për të ardhmen artistike. Një pasdite më vjen një mesazh nga Besi dhe më thotë “Ku je”?, “Në shtëpi”, i thashë. Më tha të shkoja urgjent në studio. Ne kishim menduar me Besin kohë më parë të bënim një këngë, por nuk kishin ardhur rrethanat, ndaj ndonjëherë bëhen në kohën e duhur. Shkova në studio, prisha çdo plan që kisha, dhe bëmë këngën, një atmosferë e këndshme, duke kënduar, duke kërcyer. Kënga është shumë e bukur, energjike, dhuron energji të mirë.
"Kjo është një periudhë që të gjithë artistët publikojnë materialet. Për këngën “Rrapatushe” kemi pasur shumë komente pozitive. Kjo ishte një verë që më kishte munguar. Unë zakonisht bëj një axhendë artistike, sa këngë do të publikoj, bashkëpunimet dhe në fakt asgjë nga ato që kam shkruar nuk ndodh. Por sigurisht që kam këngë të reja, kam këngë të papublikuara. Një baladë do ta publikoj pas sezonit veror, do të marr pjesë në një kompeticion. Kur mendoj karrierën, dhe kujtoj vitet e mëparshme, kuptoj se kam ecur në hapa gradualë, kam minimalisht që në vitin 2005 që jam shfaqur në publik. Para publikut në gjithë këto vite jam munduar të jem i thjeshtë”, u shpreh Mateus.
