Departamenti i Shtetit bën për ujë të ftohtë Vuçiç
Departamenti i Shtetit ka thënë se vendimi për të mos lejuar avionin e ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov për t’u ulur në Beograd ka qenë ekskluziv i tre vendeve fqinje të Serbisë dhe se nuk ka pasur trysni nga perëndimi siç pretendohet në Beograd apo në Moskë.
Zëdhënësi i Antony Blinken, Ned Price thotë se Podgorica, Sofja dhe Shkupi me vendimin e tyre treguan njëtrajtshmërinë me politikat e Bashkimit Evropian.
"Mali i Zi, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, si shtete sovrane, morën vendime sovrane për hapësirën ajrore duke pasqyruar vendosmërinë e Evropës për të kërkuar llogari ndaj Rusisë për pushtimin e pajustifikuar të Ukrainës," deklaroi Price.
Zëdhënësi i zyrës diplomatike të Uashingtonit i bëri edhe njëherë apel Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Moskës.
"Ne vazhdimisht i bëjmë thirrje Beogradit që të ndërmarrë hapa për të avancuar në rrugën evropiane, duke përfshirë diversifikimin e burimeve të energjisë, reduktimin e varësisë energjetike nga Federata Ruse dhe harmonizimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Evropian. Ne ende duam të jemi partner i Serbisë dhe ta ndihmojmë atë në përpjekjet e saj për të forcuar sigurinë energjetike në planin afatgjatë," tha ai.
Kremlini e përshkroi vendimin e Malit të Zi, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat ndaluan fluturimin e avionit të Sergej Lavrov, si një akt armiqësor dhe tha se akte të tilla mund të shkaktonin probleme.